Filloi gara “Sfida e Dizajnit 2021”, tri vendet e para fitojnë shpërblime

Data e Publikimit 22 Janar 2021

Aplikimet për garën “Sfida e Dizajnit 2021” janë të hapura.

Programi “Përkrahje e adoleshentëve pas mësimit të rregullt” (ASSET) i USAID-it në bashkëpunim me Fondacionin IPKO, ju ftojnë të aplikoni në garën “Sfida e Dizajnit” 2021. Gara “Sfida e Dizajnit” synon të frymëzojë të rinjtë të cilët kanë ide të reja dhe inovative për të konkurruar në pesë (5) sfidat për vitin 2021. U bëjmë thirrje inovatorëve të rinj nga të gjitha shkollat e mesme të larta të Kosovës të marrin pjesë në këtë aktivitet garues.

Sfidat në të cilat nxënësit mund të marrin pjesë janë në pesë (5) kategori:
1. Krijimi i një videoje për paraqitjen e një koncepti shkencor/matematikor/teknologjik;
2. Krijimi i lojës Pinball;
3. Krijimi i një gjeneratori të energjisë elektrike për shkolla ose ekspozita;
4. Krijimi i shtëpisë inteligjente me funksion të kontrollimit për hapjen/mbylljen e dritareve/roletave;
5. Krijimi i pajisjes për ushqimin e kafshëve shtëpiake.

Si mund të merrni pjesë në garë?

Shkollat që dëshirojnë të aplikojnë duhet të shprehin interesimin për pjesëmarrje deri më 29 janar 2021 në emailin mali.tefiku@ipkofoundation.org, duke cekur sfidën/sfidat në të cilat do të marrin pjesë.Shkollat që do të marrin pjesë në garë do të monitorohen nga ekipi i organizatorëve deri më 31 mars 2021, kur pritet finalizimi dhe dorëzimi i punimeve.Projektet më të mira nga secila shkollë do të vlerësohen nga panelet përkatëse.

Shënim:

  • Inkurajohen shkollat pjesëmarrëse të krijojnë një ekip të mësimdhënësve mentorë të cilët do t’i udhëheqin nxënësit në realizimin e sfidave;
  • Inkurajohen shkollat të organizojnë garë të brendshme dhe të dorëzojnë për vlerësim në emailin e cekur më lart vetëm sfidat fituese për kategori;
  • Në rast të garës së brendshme, shkolla cakton një ekip i cili, në bazë të kritereve të dhëna, përzgjedh punimet më të mira, të cilat pastaj dërgohen për të garuar me shkollat tjera.

Shpërblimet:

Tri vendet e para nga secila sfidë dhe tri shkollat me më së shumti punime në garën e brendshme do të shpërblehen me kupon për blerje të pajisjeve shtesë për punë praktike me nxënës.

Mirëpresim aplikimet tuaja!